2022-shi nuk mund të konsiderohet si një viti i shkëlqyer për Ferrarin në ‘Formula 1’, por marka italiane padyshim që ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në krahasim me sezonet e shkuara, duke e mbyllur në vendin e dytë si në renditjen për pilotë, edhe në atë të konstruktorëve. Ferrari u pa në pjesën e parë të sezonit si skuadra e duhur për të rivalizuar ‘Red Bull’-in e Max Verstappen, mirëpo gjërat ndyshat pas pushimeve verore. Kritikat e ardhura drejt Ferrarit shkaktuan një presion të madh tek drejtuesit e markës italiane, diçka që numri 1 i tyre, Mattia Binotto e ka pranuar për herë të parë. Binotto u shpreh në intervistën e tij të fundit se i kuptonte shumë mirë kritikat dhe irritimin e tifozëve, që kërkonin vazhdimësi në rezultatet e skuadrës. Pjesa e dytë e sezonit në ‘Formula 1’ për Ferrarin u karakterizua nga gabime të pilotëve, strategji të pamenduara mirë nga drejtuesit apo edhe nga garancia e vogël që jepte motori. Binotto zbuloi se të gjithë tek skuadra Ferrari filluan të ndjenin presionin nga mediat e tifozët dhe ai u përpoq të bënte më të mirën që të gjitha t’i mbeteshin atij, pa ndikuar ambjentet e brendshme të markës italiane. 53-vjeçari shtoi se i gjithë qëllimi i tij ka qenë të mbajë pilotët dhe inxhinierët e skuadrës të përqëndruar tek puna në garazh, por kjo nuk ka qenë një detyrë e lehtë, edhe për shkak të sukseseve të njëpasnjëshme të Verstappen. Megjithatë, Binotto thotë se nuk duhet hedhur poshtë puna e bërë deri më tani nga Ferrari, pasi njerëzit sipas tij e harrojnë se në çfarë situate ka qenë marka italiane në ‘Formula 1’ në sezonet e fundit. Ai është i bindur se Ferrari mund të përmirësohet ende, duke bërë që vitin e ardhshëm, të jenë akoma edhe më të denjë për të konkuruar me ‘Red Bull’-in dhe me kampionin e botës në fuqi, Max Verstappen.