Drejtuesit e skuderisë legjendare Ferrari në “Formula 1” prej kohësh kanë kërcënuar pronarët e rinj të “Liberty Media”-s me një largim të mundshëm nga kampionati botëror.
Ndryshimet e shumta të formatit të kësaj kategorie të garave nga ana e pronarëve amerikane kanë shkaktuar jo pak pakënaqësi tek një nga skuderitë kryesore, e cila përveç makinave kokëkuqe, i ofron “Formula 1” edhe motorra për skuderi të tjera si Haas apo Sauber.
Por në lidhje me këtë çështje, “Liberty Media” duket se i ka marrë masat në rast largimi të italianëve, pasi kanë projektuar Aston Martin si marka që do të zëvendësojë Ferrarin në elitën e garave me makina. Presidenti dhe pronari i Aston Martin, Andy Palmer ka folur në lidhje me këtë, duke pranuar faktin se ka patur kontakte me drejtuesit e “Formula 1” dhe se nga 2021, “Liberty Media” kërkon të ketë një furnizues të ri për sa i përket motorrëve.
“Aston Martin mund ta mbulojë mjaft mirë hapësirën që mund të lërë Ferrari. Ne do të përpiqemi të ndihmojmë në përmirësimin e këtij sporti. Ka një mundësi që ne të përfshihemi në zhvillimin e makinave, por duke menduar edhe uljen e kostove.” -shprehet presidenti i Aston Martin. Aktualisht, marka britanike është e përfshirë në “Formula 1” me bashkëpunimin me skuderinë Red Bull, që gjithësesi për momentin vazhdon të furnizohet me motorrat Renault.