F1, Anulohen dhe tre gara të tjera; Sezoni mund të mbyllet në Europë

Sport

Ashtu siç ishte aluduar prej disa ditësh, ‘Formula 1’ ka konfirmuar se edhe 3 gara të tjera, të planifikuara në kalendarin e këtij sezoni, e kanë të pamundur mbarëvajtjen normale të garës, duke u anuluar përfundimisht për vitin 2020. Bëhet fjalë për garat e Azerbajxhanit, Singaporit dhe ajo e Japonisë. Shkak mbetet pandemia e Covid-19, që e ka bërë të pamundur për autoritetet e këtyre vendeve të lejojnë mbarëvajtjen e një gare të ‘Formula 1’ për këtë vit. Japonia madje lajmëroi pak ditë më parë edhe anulimin e garës së ‘MotoGP’, duke konfirmuar se në pistat e Suzukas dhe Motegit, do të garohet vetëm vitin e ardhshëm. Për Azerbajxhanin dhe Singaporin, situata është akoma më e komplikuar, për shkak se garohet në rrugët e qyteteve. Zyrtarët në Singapor kanë lajmëruar se ndërtimi dhe shndërrimi i rrugëve në pistën që jemi mësuar të shohin në garën e ‘Formula 1’, kërkon shumë punë dhe njerëz, çfarë ndërlikon çdo gjë. Të njëjtin problem po has edhe Vietnami, ku organizatorët kërkojnë të bëjnë debutimin e tyre në ‘Formula 1’ me praninë e tifozëve, një mundësi që për këtë sezon nuk merret më në konsideratë. Kështu, gjasat janë që edhe gara e Vietnamit të shtyjë debutimin për në vitin 2021. Së fundmi po flitet se edhe gara të tjera jashtë Europës, si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të anulojnë mbarëvajtjen e fundjavave të ‘Formula 1’ për këtë sezon, duke bërë që elita e garave me makina, të përmbyllë 2020-ën vetëm në pistat e ‘kontinentit të vjetër’.