F1, Alonso thotë se në Arabinë Saudite do të provohet forca e Aston Martin

Sport

Fernando Alonso dhe Aston Martin siguruan një sukses të jashtëzakonshëm në garën hapëse të këtij sezoni të ‘Formula 1’, duke fituar betejën me Ferrarin për vendin e tretë. Mirëpo sipas 2 herë kampionit të botës, suksesi i arritur në Bahrein edne nuk mund të konsiderohet si prova që dëshmon se Aston Martin do të luftojë për objektiva madhorë këtë sezon. Sipas Alonsos, fundjava në Arabinë Saudite do të jetë tesi i vërtetë për të dhe pjesën tjetër të skuadrës, për të parë realisht se sa larg mund të shkojë marka britanike në këtë sezon të ‘Formula 1’.

“Mendoj se garat në Arabinë Saudite dhe në Australi do të na tregojnë më shumë rreth potencialit të makinës. Në sezonet e kaluara kemi patur më shumë mundësi për testime, ndërsa këtë herë, duhet të marrim të dhënat që duam gjatë provave të lira apo ato zyrtare. Suksesi në Bahrein ishte i mrekullueshëm, por në Xhedah do të kuptojmë më shumë nga makina.”

Alonso në këtë mënyrë nuk kërkon të nxitojë me deklaratat e tij sa i përket objektivave personalë dhe të skuadrës së tij. Vetë spanjolli është i vetdijshëm se tek Aston Martin duhet të punojnë ende për të garuar si të barabartë me ‘Red Bull’ dhe Ferari përgjatë gjithë sezonit, pavarësisht asaj që ndodhi në garën e parë. Max Verstappen sipas tij mbetet njeriu për t’u mundur, ndonëse veterani përsëriti se do të jenë ndalesat e radhës të botërorit, ato që do të tregojnë forcën e vërtetë të të gjitha skuadrave. Në Bahrein, Alonso siguroi podiumin e 99 në karrierë dhe këtë vit, duket mëse e mundur që të arrijë kuotën e 100 podiumeve.