Fernando Alonso bëri një paraqitje mjaft të mirë dhe shpresëdhënëse për McLaren, në garën e parë sezonale të Australise, të cilën e përfundoi në vendin e 5.
Një paraqitje e tillë për skuderinë nga Woking nuk ishte parë prej disa sezonesh, ndaj duket se kalimi nga motorri Honda tek ai Renault ka dhënë efektet e para.
Në lidhje me këtë paraqitje ka folur edhe vetë Alonso, që është shprehur se tek makina e tij, ai ka parë një potencial të madh, pavarësisht se vendi i pestë në Melbourne u arrit edhe me pak fat.
Sipas tij ka ende nevojë për punë që bashkëpunimi mes McLaren dhe Renault të japë më të mirën e mundshme. Në këtë menyrë, spanjolli i kërkon skuadrës të mos përqendrohet tek lufta me skuadrat mesatare në renditjen e tabelës, por të synojë duelimin me skuderinë Red Bull. Diçka e tillë duket disi e vështirë për t’u arritur për momentin, por nëse McLaren vazhdon të bëjë paraqitje të mira si ajo në Australi, atëherë pse jo, me ekseperiencën e Alonsos, skuderia britanike mund të bëjë surprizën. Gara e ardhshme e “Formula 1” do të zhvillohet më 8 prill, në pistën e Sakhir në Bahrein.