Tek Everton vazhdon revolucioni në skuadër. Ashtu siç e kishte deklaruar kohë më parë edhe trajneri Marco Silva, drejtuesit e “The Toffees” do të bënin disa ndryshime gjatë merkatos.
Pas afrimit të Lucas Digne në fillim të verës, Everton siguron edhe dy lojtarë të tjerë nga Barcelona. Yerry Mina dhe André Gomes do të jenë futbollistë të skuadrës nga Liverpooli nga sezoni i ardhshëm. Dy lojtarët do të vijnë me formula të ndryshme në Angli. Mbrojtësi kolumbian do të shitet përfundimisht tek Everton, kurse Andre Gomes do të kalojë në formë huazimi.
Në rastin e Yerry Minas, drejtuesit katalanas shpresuan deri në fund për një marrëveshje me Manchester United, që përfshinte kartonin e kolumbianit, do të lejonte transferimin në Spanjë të Paul Pogba. Por marrëveshja në fjalë u refuzua në mënyrë kategorike nga ana e “djajve të kuq” dhe me këmbënguljen e trajnerit Marco Silva, Mina do t’i bashkohet skuadrës nga “Goodison Park”, duke sfumuar edhe një ofertë të Lyon.
Ndërsa sa i përket Andre Gomes, portugezi nuk u përshtat sezonin e kaluar në formacionin e teknikut Valverde, ndaj blaugranat vendosën ta lejonin të largohej në formë huazimi drejt skuadrës angleze të Everton.