EURO 2024/ UEFA përjashton Rusinë

Sport

Përfaqësuesja ruse e futbollit është përjashtuar nga kualifikueset e Euro 2024. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s përgjatë ditës së martë, i mbledhur në Kroaci.

Këtë herë, Euro 2024 do zhvillohet në Gjermani, ndërsa në 9 Tetor, në Frankfurt do të hidhet edhe shorti I kualifikueseve.

Sakaq, përfaqësuesja ruse e futbollit nuk ka mundur të luajë dot asnjë ndeshje që nga muaji nëntor i vitit të kaluar. Më pas, në shkurt, ata u përjashtuan nga të gjitha kompeticionet e FIFA-s dhe UEFA-s si pasojë e sulmit që Rusia nisi në Ukrainë.

Pikërisht një akt i tillë, i ka shtyrë sërish krerët e UEFA-s të të bllokojnë pjesëmarrjen e Rusisë edhe në europianin e ardhshëm.

Më tej, nisur nga kjo situatë, në javën e shkuar, Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Nancy Faeser, iu drejtua me një letër presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, teksa kërkonte që edhe Bjellorusia të përjashtohej nga Euro 2024. Megjithatë, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, nuk është marrë një vendim I tillë për Bjellorusinë, me këtë të fundit që do jetë pjesë e kompeticionit.

Sa I përket Gjermanisë, 4 herë kampionët e botës, e kanë siguruar automatikisht një vend në Euro 2024, duke qenë se janë organizatorët e turneut.