Teksa kualifikueset e Euro 2024 po shkojnë drejt fundit, një pjesë e mirë e skuadrave kanë arritur ta sigurojnë kualifikimin në finalet e Europianit që do të zhvillohet në Gjermani. Mirëpo, mes të kualifikuarave, bie në sy ecuria e Francës dhe Portugalisë, si dy skuadrat e vetme që kanë një rekord 100% të fitoreve në grupet e tyre respective.
Në Grupin B, në 7 takime të luajtura, Franca regjistron po kaq fitore. përgjatë këtij rrugëtimi, gjelat kanë shënuar 27 gola, por vlen të theksohet se kanë pësuar vetëm një, duke regjistruar në këtë mënyrë edhe mbrojtjen më të fortë të këtyre kualifikueseve.
Në ndeshjen e tyre të fundit, nënkampionët e botës, fituan 14-0 ndaj Gjibraltarit, duke regjistruar kësisoj edhe fitoren më të thellë në historinë e përfaqësueses.
Nga ana tjetër, jo më pak ka bërë edhe Portugalia e Grupit J. Në 10 ndeshje, luzitanët, kanë marrë po kaq fitore. Me 36 gola të shënuar, portugezët regjistrojnë sulmin më të mirë të këtyre eliminatoreve, ndërsa kanë mbrojtjen e dytë më të mirë, pas Francës, me vetëm 2 gola të pësuar.
Skuadra e Roberto Martinez po udhëhiqet nga Cristiano Ronaldo, i cili ndonëse 38 vjeç, po vijon të jetë ende vendimtar. Përgjatë këtij rrugëtimi, sulmuesi në fjalë ka shënuar 10 gola dhe është golashënuesi i dytë më i mirë i kualifikueseve. Në vendin e parë renditet Romelu Lukaku, që numëron 14 gola të shënuar. Falë këtyre finalizimeve, sulmuesi shtatlart, e ka ndihmuar Belgjikën që të presë biletën drejt finaleve të Gjermanisë.