Për të tretin vit radhazi, Cristiano Ronaldo është sportisti më i famshëm në botë. Ky ka qenë rezultati i listës së përpiluar nga ESPN ku renditen 100 sportistët më të ndjekur në planet dhe ku sërish më i njohuri është vlerësuar portugezi. 33-vjeçari 5 herë fitues i Topit të Artë ka lënë prapa basketbollistin amerikan Lebron James dhe rivalin e përhershëm Lionel Messin, i cili është renditur i treti. Agjencia e lajmeve sportive ESPN e përpilon çdo vit listën e sportistëve më të famshëm duke përllogaritur disa faktorë, si njekjen në rrjetet sociale, interaktivitetin me komente, pëlqime si dhe kërkimet e kryera në internet me emrat respektiv.
Ronaldo aktualisht ndiqet nga 73 milionë përdorues në Twitter, 122 milionë në Facebook dhe 126 në Instagram, shifra këto tejet të larta krahasuar me Messin i cili ndiqet nga 89 milionë në Facebook, 91 milionë në Instagram dhe ende nuk figuron në Twitter. Për sa i përket emrave të tjerë të sportit, vendi i katërt vlen të theksohet se i takon brazilianit Neymar. 25-vjecari është një përdorues i tmerrshëm i Instagramit dhe për këtë ka më shumë ndjekës se kushdo sportist tjetër, plot 93 milionë. Ndërkohë Roger Federer është i pesti në këtë listë, mbi emra si basketbollisti Kevin Durant apo rivali i tij në tenis Rafael Nadal që vijnë më poshtë.