Dy asiste për kapitenin e Baselit, Taulant Xhaka dhe një gol i shkëlqyer “alla Messi” nga Edon Zhgrova në fitoren 4-0 që Basel arriti të mërkurën ndaj Zurich në kampionatin zviceran. Nënkampionët e Zvicrës vazhduan formën e mirë të shfaqur në këtë fillim sezoni, duke shënuar edhe fitoren e radhës në javën e tetë të Superligës. Por mbi të gjitha, në këtë ndeshje shkëlqyen Taulant Xhaka e Edon Zhegrova. Mesfushori i Shqipërisë, i cili mbante edhe shiritin e kapitenit në këtë ndeshje, dhuroi dy asiste perfekte. Ndërsa sulmuesi i Kosovës shënoi një gol të bukur. Fillimisht, Xhaka tregoi formën e shkëlqyer të tij, duke dhënë një asist spektakolar në zonë për Arthur Cabral, i cili nuk gaboi duke shënuar me kokë avantazhin e vendësve.
Kurse Zhegrova në këtë takim u aktivizua në lojë në minutën e 73-të, atëherë kur rezultati ishte 2-0. Vetëm 7 minuta më vonë, ai shënoi ndoshta edhe golin më të bukur të karrierës. I ashtuquajturi ‘Messi kosovar’ mori një top nga Taulant Xhaka dhe më pas dribloi si birila kundërshtarët, duke shënuar golin e parë zviceran, në portën e Zurich. Teksa, sipas mediave vendëse, ai praktikisht u tall me mbrojtësit kundërshtarë, përpara se të godiste topin drejt rrjetës. Kështu, Baseli vazhdon të jetë kryesues i kampionatit të Zvicrës me 19 pikë, pas 6 fitoreve, 1 barazimi dhe 1 humbjeje ndër 8 ndeshje të luajtura. Por mbi të gjitha duket gjithmonë e më shumë i udhëhequr nga lojtarët shqiptarë.