Vjen goli i parë skocez për Eros Grezdën, megjithëse bëhet fjalë për një ndeshje, në të cilën ai ka luajtur me rezervat e Rejnxhërsit, që arritën të fitojnë me rezultatin e thellë 6-2 ndaj rezervave të Motheruellit. Lojtari shqiptari ishte autor i golit të dytë, teksa gjithashtu dhuroi edhe një asist për tjetër një tjetër realzim të shokëve të tij, duke marrë në këtë mënyrë elozhe nga drejtuesit e klubit. Por edhe nga mediat britanike. Në një situatë të tillë duket se ish-mesfushori sulmues i Osijekut dha sinjale se është gati për të zbritur në fushë si titullar me ekipin e parë të Steven Gerrard. Shansi i parë për Grezdën vjen që në këtë mesjavë, kur Rangers duhet të luajë ndeshjen cerekfinale të “Betfred Cup” përballë Ayr.
Trajneri i skuadrës skoceze po mendon seriozisht që shqiptarin ta hedhë në fushë nga minuta e parë, si një provë gjenerale, ndoshta para aktivizimit për ndeshjen e fundjavës në kampionat, që luhet në transfertë me Livingstone. Duke parë kundërshtarin që ka përballë, Gerrard mund t’i lejojë vetes të testojë vecanërisht futbollistët e ardhur rishtaz. Padyshim që kjo shihet si mundësi e madhe për Grezdën që të tregojë se ka hedhur dëmtimin përfundimisht prapa krahëve dhe është në formë për të luajtur. Mbi të gjitha duhet të bindë Gerrard që ta llogarisë sidomos për ndeshjet e Premier League-s skoceze. Aty ku deri tani ka pasur mundësinë të luajë vetëm 13 minuta kundër Dundee në javën e 5-të.