Ernesto Valverde ‘i falet’ magjisë së Messit dhe Suarez

Sport

Edhe pse sfida me Interin nuk nisi ashtu si duhej, Barcelona ia doli të merrte 3 pikët e parë për këtë sezon në ‘Champions League’. Trajneri Valverde ishte nën tension më shumë se kurrë dhe rezultati i kësaj sfide mendohej të ishte deçiziv edhe për të ardhmen e tij në krye të stolit katalanas. Tekniku ‘iu fal’ sërish lojtarëve të tij më besnikë, Lionel Messi dhe Luis Suarez, të cilët ishin protagonistët kryesorë të përmbysjes së Barcelonës. Hedhja në fushë e Arturo Vidal ishte një lëvizje e mirë e Valverdes, por sërish, pa magjinë e dy lojtarëve kryesorë të skuadrës, asgjë nuk do të ishte e mundur.

Valverde duket se ka rifituar qetësinë, të paktën edhe për disa javë të tjera. Messi dhe Suarez jo vetëm që i dhanë 3 pikët Barcelonës, por i dhanë edhe trajnerit të tyre më shumë kohë për të ndryshuar gjërat dhe për të kthyer skuadrën në drejtimin e duhur. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Messi ‘shpëton’ Valverden. Edhe në sezonin e shkuar, pas eleminimit të pabesueshëm me Liverpool, kapiteni argjentinas ishte i pari që kërkoi të largonte përgjegjësinë nga Valverde. Por pyetja që shtrohet në Spanjë është se edhe për sa kohë do të vazhdojë ‘Messi & co.’ të jenë në krah të trajnerit të tyre. Klasi dhe cilësia e Messi apo Suarez kësaj radhe bënë diferencën, por në një ditë jo të mirë të tyre, Ernesto Valverde duhet të mësojë të nxjerrë skuadrën nga telashet, përndryshe presioni i largimit do të rikthehet shumë shpejt, madje edhe më i fortë se më parë.