Erling Haaland, ja kush është talenti i Salzburg që theu rekordin e Shevchenkos

Sport

Ndeshja mes Salzburg dhe Genk provoi edhe njëherë se magjia e ‘Champions League’ nuk njeh limite. Në debutimin e tyre në elitën e futbollit europian, ekipi austriak mori një fitore historike 6-2 ndaj kampionëve të Belgjikës. Ylli i mbrëmjes ishte vetëm një; Erling Haaland. Sulmuesi i Salzburg realizoi një tre-golësh që në 45 minutat e para, duke thyer rekordin e lojtarit më të ri në moshë që shënon tre gola në ‘Champions League’, brenda pjesës së parë. Erling Haaland është djali i ish-lojtarit të Leeds United dhe Manchester City, Alf-Inge Haaland. 19-vjeçari deri më tani ka ndjekur të njëjtin rrugëtim si i ati, por synimet e Erling janë të mëdha. Sulmuesi norvegjez është shprehur se fundmi se dëshiron që të bëhet ndër futbollistët më të mirë në botë, por për këtë ai duhet të punojë shumë dhe t’i marrë gjërat hap pas hapi.

Një tjetër ëndërr e tij është që një ditë të bashkohet me Leeds United, ekipin ku ka shkëlqyer më së shumti babai i tij, dhe me ta të fitojë ‘Premier League’-ën. Por talenti 19-vjeçar qëndron me ‘këmbë në tokë’ dhe pranoi se jo shumë gjëra do të varen prej tij. Fakti që skuadra e tij debutonte në ‘Champions League’ ishte një frymëzim i madh jo vetëm për të, por për të gjithë shokët e skuadrës, të cilët kërkonin të tregonin se e kan meritur plotësisht vendin e tyre mes më të mirëve të kontinentit. Në këtë sezon të ri, Erling haalnd është ndër sulmuesit me rendimentin më të mirë, pasi në 9 ndeshje në të gjitha kompeticionet, numëron 17 gola dhe 5 asiste.