Erling Haaland është kthyer në objektivin kryesor të Barcelonës

Sport

Erling Haaland është kthyer në objektivin kryesor të Barcelonës. Katalanasit kanë nisur të mendojnë për pasuesin e Robert Lewandowskit, i cili, pavarësisht se këtë sezon po performon në nivele të larta, pak a shumë si e gjithë karriera e tij, sërish, polaku, është në perëndim të aventurës futbollistike. Mosha 36 vjeçare, e kufizon Lewandowskin, çka do të thotë se nuk garanton dot edhe shumë vite nga e ardhmja. Thënë këtë, drejtuesit e Barcelonës po kërkojnë një sulmues të nivelit të lartë, i cili, gjithashtu, të jetë i ri në moshë. Haaland është vetëm 24 vjeç, ndërsa të flasësh për atë që novegjezi mund të bëjë në fushën e lojës, është e tepërt. Në 108 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, vikingu ka shënuar 101 gola, duke u kthyer në një factor thelbësor të sukseseve të Cityzens përgjatë edicioneve të fundit.

Me Cityn, Haaland ka një kontratë që i përfundon në verën e 2027-tës, ndërsa vlera e tij në merkato është 200 milionë euro. Bashkë me Vinicius Junios, janë dy lojtarët më të shtrenjtë në botë. Mirëpo, pikërisht aspekti financiar është pikërisht ngërçi që mund të pengojë Barcelonën nga një transferim i tillë, duke marrë parasysh situatën e ndërlikuar ekonomike të klubit katalanas. Prandaj, nëse mbi këtë temë do të ketë të tjera zhvillime, mbetet për t’u parë se çfarë levash do të lëvizin drejtuesit e Barcelonës për të bërë të mundur transferimin e Erling Haaland brenda një të ardhmeje jo shumë afatgjatë. Nga ana tjetër, një sy mbi ecurinë e Haaland, është duke e mbajtur edhe Real Madrid.