Përveçse është në krizë rezultatesh, Manchester United nuk i ka punët aspak mirë me një prej futbollistëve të organikës, Jadon Sancho, teksa ndaj këtij të fundit, trajneri Erik ten Hag ka shtrënguar më tepër masat. Sikurse bëjnë me dije mediat në ishull, sulmuesi nuk gëzon më asnjë të drejtë në klub, as të stërvitet në ambientet e Carrington me ekipin e parë, por do të stërvitet me të rinjtë e akademisë. Madje, ai është përjashtuar edhe nga vaktet e ngrënies me shokët e skuadrës.
Gjithçka nisi në fillim të muajit shtator, teksa anglezi nuk udhëtoi me United në transfertën e Arsenalit, të humbur 3-1. Pas takimit, Ten Hag u shpreh se Sancho nuk ishte grumbulluar, sepse ka treguar mungesë serioziteti në stërvitje.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i futbollistit, i cili në rrjetet sociale ka hedhur poshtë fjalët e trajnerit hollandez, duke u bërë thirrje tifozëve që të mos i besojnë deklaratat e timonierit tulipan.
Kaq mjaftoi, që situata të përkeqësohej edhe më shumë dhe të vinte në këtë pikë që është sot. Sikurse bëjnë me dije mediat në ishull, për t’u pajtuar, ka vetëm një mënyrë dhe që Sancho të bëhet sërish pjesë e skuadrës. Ai duhet t’i kërkojë falje trajnerit Erik ten Hag për atë postim në platformat sociale, ose në të kundërt, do të vazhdojë të mos jetë pjesë planeve të 53 vjeçar.
Që prej kohës kur është emëruar në krye të stolit në “Old Trafford”, Ten Hag, vazhdimisht ka bërë thirrje se është shumë e nevojshme që në klub të respektohet disiplina dhe këtu nuk bën përjashtim asnjë futbollist, përfshirë këtu edhe Cristiano Ronaldon, i cili pasi fillimisht u ul në stol, më pas, u largua në merkaton e Janarit të këtij viti.
Sa i përket situatë së Sanchos, mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e anësorit të ofensivës, teksa ai ka një kontratë me Manchester United, që përfundon në verën e 2026-tës.