Ergys Kace luan si kundërshtar ndaj ekipit ´mëmë´

Sport

Ergys Kace

Ishte një fundjavë e veçantë për Ergys Kacen. Për herë të parë në karrierën e tij, ai sfidoi si kundërshtar skuadrën e PAOK-ut, në përballjen që Panathinaikosi ku mesfushori luan si i huazuar, u mposht me shifrat 3-0 brenda në shtëpi. Mesfushori i Kombëtares, gjithsesi ka qenë një nga më të vlerësuarit në radhët e bardhegjelbërve nga Athina. Aq sa në një farë mënyrë ka lëshuar sinjale për PAOK-un, klubi që ka ende pronësinë e tij. Nëse do të vijojë të shfaqë lojën e bërë në këto ndeshje të fundit, nuk është cudi të arrijë të bindë drejtuesit e skuadrës nga Selaniku, për t’u kthyer gjatë sezonit tjetër në rolin e protagonistit në mesfushën e skuadrës, ku vitin e kaluar nuk pati mundësinë të luajë rregullisht. E si rrjedhojë pranoi huazimin tek Panathinaikosi.
Sa i takon rikthimit të mundshëm në skuadrën “mëmë”, mbështetja ka ardhur edhe nga vetë futbollistët selanikas, që në fund të ndeshjes përveçse kanë folur me superlativa për Kacen, edhe e kanë konsideruar si pjesë të familjes së PAOK-ut. “Jemi mjaft të lidhur me Kacen. E kemi ndjerë mungesën e një lojtari si ai dhe i dimë vështirësitë që ka kaluar. Prandaj, të gjithë shpresojmë që ai të kthehet me PAOK-un”, deklaroi portieri Paskalakis në përfundim të takimit. Selanikasit, falë fitores së arritur, siguraun përfundimisht vendin e dytë në kampionatin grek. Gjë që i jep mundësinë të marrin pjesë në fazën paraeliminatore të edicionit të ardhshëm të Champions League.