Ëndrra e Argjentinës, të ribëjë bashkë Messi-Guardiola

Sport

guardiola

Pas eleminimit nga Botërori, për Argjentinën është e rëndësishme të rinisen, në mënyrë sa më të mbarë. Për këtë arsye është themelore të fillohet një epokë e re, me në krye një tjetër teknik dhe jo me Jorge Sampaolin. Federata Argjentinase po studion metodën për t’u liruar nga akordi që ka me trajnerin. Mirëpo nga ana tjetër po vlerëson alternativat e teknikëve që mund t’i rikthejnë shkëlqimin përfaqësueses albiceleste.E nëse mund të thuhet se “tiki-taka”-s i ka ikur moda, nga ana tjetër nuk mund të thuhet e njëjta gjë për interpretuesin e saj të madh, Pep Guardiola. Emri i të cilit shfaqet papritmas si mundësi për pankinën argjentinase. Faktikisht, spanjolli që është nën kontratë me Man.City, u përmend si mundësi nga një gazetar i të përditshmes argjentinase TN Deportivo, Pablo Cecchini. Ai ka rrëfyer se tratativa nuk është fantazi, pasi Federata Argjentinase e Futbollit është gati t’i ofrojë Guardiolas një kontratë 4-vjeçare prej 12 milionë eurosh, me skadencë pas Botërorit të Katarit në 2022-shin.

messi pep

Një shifër e rëndësishme, që duhet të mbulohet nga Torneos, stacioni televiziv që ka të drejtat televizive të Kombëtares albiceleste deri në 2030-n. E që synon t’i garantojë Argjentinës një nga teknikët më të mirë në botë, i vlerësuar nga lojtarët dhe në gjendje për të punuar më së miri sidomos me Lionel Messi. “El Pulce” dhe Pep kanë qenë protagonistë absolutë të asaj që konsiderohej si Barcelona më e mirë e historisë. Jo më kot, kur ata të dy u ndanë, katalanasit nuk e kanë arritur më atë nivel madhështie. Gjithsesi, tentativa e argjentinasve duket se është e destinuar të mbetet ëndërr, sepse Guardiola nuk ka ndërmend të largohet nga City, me të cilin pas titullit synon të fitojë mbi të gjitha Champions League.