Endri Çekiçi, sezon i ri por me avaz të vjetër…

Sport

Sezon i ri nis me avazin e vjetër për Endri Çekiçin. Sulmuesi shqiptar është konfirmuar në formë të shkëlqyer edhe këtë fillim të sezoni, në radhët e skuadrës së Olimpija Ljubljanës. Pas pjesës së dytë të sezonit të kaluar, kur u shfaq tepër efektiv me gola të njëpasnjëshëm, edhe këtë edicion pogradecari e ka nisur me gol që në ndeshjen e parë për klubin e tij në kampionatin që startoi gjatë fundjavës.


Si zakonisht titullar, Cekici ishte vendosur në majën e sulmit të Olimpja Ljubjanës, teksa i mjaftuan vetëm 26 minuta për të gjetur rrugën e golit në fitoren 2-0 ndaj Bravo Publikum. Konkretisht në mbyllje të një kundërsulmi të shpejtë, 22-vjecari lëshoi një predhë nga jashtë zonës duke i dhënë avantazhin skuadrës nga Ljubjana.
Një tjetër gol vulosi tripikëshin e vyer për Olimpijan, që e nisi kampionatin përmes një fitoreje të rëndëisshme sa i takon moralit pas humbjes së pësuar në ndeshjen e parë të Ligës së Europës përballë Rigës.


Për t’u kujtuar është se gjatë sezonit të kaluar, Çekiçi u aktivizua në 9 ndeshje në kampionat me fanellën e Olimpija Ljubljanës, teksa ia doli të shënojë plot 6 gola, duke u shndërruar në mënyrë të menjëhershme ndër elementët më vendimtar të këtij ekipi. Kalimi nga Kroacia në Slloveni i ka shërbyer për mirën talentit nga Pogradeci, i cili te Dinamo e Zagrebit ishte degdisur në ekipin e dytë. Kurse ekipi nga Ljubjana i ka dhënë hapësirat e nevojshme, të cilat Cekici ka ditur t’i shfrytëzojë në maksimum.