Christofor Nkunku është emri që këtë verë ka trazuar disa klube të ndryshme të kontinentit. 20 gola dhe 14 asist në sezonin 2021/22 në Bundesligë, është një tregues I mjaftueshëm që në drejtim të sulmuesit të orientohen prozhektorët.
Një prej klubeve që ka treguar tepër interes mbi 24 vjeçarin, është Milani. Kuqezinjtë, pasi fituan titullin kampion, duan që për edicionin e ardhshëm të përforcohen akoma edhe më tepër, duke e rritur nivelin e organikës në një tjetër shkallë.
Megjithatë, ëndrrat e Milanit, apo edhe e klubeve të tjera, mund të zbehen së shpejti dhe mundësitë për një gjë të tillë, janë të mëdha. Sikurse raportojnë mediat gjermane, Nkunku nuk po e mendon largimin nga Leipzig. Madje jo vetëm kaq, por sulmuesi pritet të rinovojë edhe kontratën me klubin, pjesë e të cilit është që prej 2019-tës.
Marrëveshja aktuale e francezit, skadon në 2024-tën, por gjermanët janë vënë në lëvizje për t’i ofruar një tjetër paketë lojtarit, sigurisht me terma të një standarti më të lartë. Ndër të tjera, kjo konsiderohet si një levë për t’i rritur më tepër çmimin në merkato sulmuesit Nkunku, kartoni i të cilit, momentalisht valutohet deri në 80 mln euro.
Po ashtu, edhe vetë futbollisti nuk kërkon të nxitohet për t’u transferuar në një klub më të madh. Leipzig konsiderohet si një trampolinë fantastike për t’u ngjitur në një tjetër nivel. Ndoshta Nkunku kërkon të grumbullojë më tepër eksperiencë, për t’u bërë gati më pas, për hapin e madh në karrierë.