Christian Panucci mund të jetë duke përjetuar ditët e fundit si trajner i Kombëtares Shqiptare. Bilanci negativ si kuqezi prej vetëm 3 fitoresh, 2 barzime e plot 8 humbjeve, që kulmuan me kapitullimin pa kushte në “Loro Borici” kundër Skocisë, ka mbushur kupën. Duhet të kthehesh 25 vjet prapa – kur na thyente 1-5 Spanja për të gjetur disfatën e fundit me 4 gola diferencë, si ajo e së shtunës së kaluar. Në këto kushte mësohet se vendimi për largimin e trajnerit është pjekur në mendjen e presidentit të FSHF, Armand Duka. Megjithëse ky vendim mund të shtyhet deri pas ndeshjes ndaj Uellsit. Për më tepër në mediat e shkruara të së hënës është zbuluar se kreu i futbollit shqiptar ka kontaktuar edhe atë që mund të jetë zëvendësuesi i italianit në stolin e kuqezinjve.
Dhe këtë radhë bëhet fjalë për një shqiptar dhe ish-kapiten të Kombëtares, si Bledar Kola. Aktualisht në rolin e zëvendës trajnerit të AEK-ut në Greqi, më herët ai ka qenë përfaqësues i Kombëtares shqiptare, me të cilën ka luajtur si mesfushor, gjatë viteve 1990-2001 duke shënuar 6 gola në 40 ndeshje. Ai shihet për momentin si kandidati kryesor për të marrë drejtimin, përderisa ka përvojë të pasur pune me trajningun në kampionatin grek. Atje ku shkoi që në vitin 2002, një vit pasi u largua nga Kombëtarja shqiptare. Megjithatë, FSHF-së vetëm tani e ka përmendur si mundësi, përderisa për gati 17 vjet nuk është se e ka parë si kanditat për të stërvitur, qoftë edhe ekipet kombetare të moshave.