Nuk ka vonuar reagimi i mesfushorit Emre Can ndaj skuadrës së Juventus, ose më saktë ndaj trajnerit Maurizio Sarri, që e la mesfushorin jashtë listës së skuadrës bardhezi për në ‘Champions League’. 25-vjeçari është shfaqur mjaft i mërzitur dhe i acaruar me këtë vendim dhe nuk ka nguruar të akuzojë Sarrin se nuk është treguar i sinqertë me të. Can tha se ka marrë vetëm një telefonatë shumë të shkurtër nga një anëtar i stafit dhe se nuk ka asnjë shpjegim rreth këtë vendimi të papritur. Mesfushori madje shkoi deri aty sa tha se trajneri nuk kishte guximin t’ja komunikonte vetë këtë vendim, pasi shumë gjëra sipas Emre Can ishin folur ndryshe.
Për këtë arsye ai ka kërkuar një takim të menjëhershëm me drejtuesit e klubit, ku kërkon të shpjegohet e gjithë kjo situatë, pasi 25-vjeçari pretendon se kishte një tjetër marrëveshje verbale. Veç tij, jashtë listës së trajnerit Maurizio Sarri ishte edhe Mario Mandzukic. Ky i fundit gjithashtu thuhet të mos e ketë pritur mirë këtë vendim. Emre Can shtoi në fund se nëse do ta dinte që trajneri i Juventus do të kishte marrë këtë vendim, atëherë ai do të kishte kërkuar largimin drejt një skuadre tjetër. Mirëpo tashmë merkato është e mbyllur dhe mundësia e vetme është Portugalia, ku afati i transferimeve vazhdon të jetë aktiv. Megjithatë kjo hipotezë duket se do përjashtohet nga ana e mesfushorit, i cili do të duhet të presë muajin janar për të bërë një largim nga Torino.