Empoli eliminon Juventusin nga Kupa e Italisë

Sport

Juventusi eliminohet nga Kupa e Italisë. Të Mërkurën mbrëma, Zonja e Vjetër ka marrë një shuplakë të rëndë nga Empoli, që në Serie A, lufton për të mos rënë nga kategoria.

Kjo çerekfinale konsiderohej e lehtë në letër për Juven, por në fakt, fusha e lojës ka treguar krejtësisht të kundërtën.

Fillimisht, surpriza e parë erdhi në minutën e 23, kur Maleh realizoi një gol të bukur nga jashtë zonës, duke kaluar në epërsi skuadrën mike. Madje, vizitorët, patën edhe një mundësi të mirë shënimi në fundin e pjesës së parë, teksa Ismael Konate, i vetëm me portierin, e dërgoi topin në shtyllë, pa mundur do të shënonte të dytin për ekipin e tij.

Juventusi u rikthye në lojë në minutën e 66, teksa Kefren Thuram shpiku një gol falë aftësive të tij individuale. Më pas, pavarësisht përpjekjeve nga të dyja kampet, gjithçka u mbyll 1-1, e duke qenë se nuk kishte kohë shtesë, skuadrat u drejtuan të dyja tek pika e bardhë e penalltisë.

Bardhezinjtë gabuan dy herë, fillimisht me anë të Dusan Vlahoviç, e më pas me Kenan Yildiz. Nga ana tjetër, Empoli i shënoi të katërta penalltitë, duke siguruar në këtë mënyrë, kaulifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, për herë të parë në historinë e klubit.

Sa i takon Juventusit, në vetëm një javë, Zonja e Vjetër, ka marrë dy goditje shumë të fuqishme. Fillimisht ishte eliminimi nga Champions League nga PSV, e më pas erdhi eliminimi në Kupë nga një ekip modest.

Në kushte si këto, trajneri Thiago Motta, tani ka vendosur më shumë se kurrë në pikëpyetje stolin e tij. Për pjesën e mbetur të sezonit, Juventusi do të luajë vetëm në Serie A, atje ku do të tentojë të sigurojë vendin 4, për të garantuar një vend në Champions League në edicionin e ardhshë futbollistik.