Emisarë të Bajernit do ta ndjekin Hysajn kundër Juventusit

Sport

elseid hysaj
Të gjithë të çmendur pas Elseid Hysajt.Edhe pse anësori i Napolit nuk bëri një paraqitje me superlativa në ndeshjen e fundit kundër Milanit – ku ndryshe nga zakonisht luajti në të majtë -, ai vijon të jetë tepër i lakuar në merkato. Vetëm disa javë më parë u fol se gjendet në shënjestrën e Barcelonës, kurse tani është një tjetër klub gjigant, si Bajerni i Mynihut që përpiqet të hedhë hapa konkretë. Sipas asaj që raportohet në mënyrë ekskluzive nga italianët e “Tuttomerkatoweb”, disa emisarë të bavarezëve do të jenë në “Alianz Stadium” për të ndjekur Juventus-Napoli. Dhe i vëzhguari special do të jetë pikërisht Hysaj, i cili prej kohësh ka përfunduar në orbitën e kampionëve gjermanë.

elseid
Vlerësimi i futbollistit nga ana e Napolit është rreth 50 milionë euro, shifër që konsiderohet e tepruar nga klubi bavarez. Përkundër kësaj, Bajerni është në kërkim të zëvendësuesit të mundshëm të Rafinjas, të cilit i skadon kontrata në qershor dhe që duket se do të largohet nga Bavaria. Kështu, anësori shkodran shihet si një lojtar i përshtatshëm për të zënë vendin e tij. Gjithmonë duke ditur se mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes pa probleme. Mbetet të shihet nëse paraqitja që do të bëjë kundër Juventusit do të arrijë të bindë përfundimisht Bajernin për ta rrëmbyer 23-vjeçarin shqiptar. Pa harruar se drejtuesit gjermanë do të duhet të mposhtin konkurencën e disa klubeve të tjera që duan Hysajn, si Arsenal, Barcelona, apo edhe vetë Juventus. Klub ky që ofroi 40 milionë euro gjatë merkatos verore të vitit të kaluar.

hysaj