E ardhmja e Mesut Ozil është në duart e tij, kështu thotë trajneri i Arsenalit Unai Emery, pas një tjetër viti plot ankesa në drejtim të përkushtimit që po ka turku kundrejt fanellës së topcinjve. U bë një vit tashme që në Emirates vazhdohet të flitet për 30-vjecarin, i cili me kontratën e ri-nënshkruar në shkurt 2018-të, përfiton plot 350 mijë paundë në javë. Arsenali bëri një sforcim të madh ekonomik për ta mbajtur në organikë, kjo pasi kishte larguar Alexis Sanchez, ndërsa këtë janar nuk mundi t’i përmbushë kërkesat Aaron Ramsey-it. Por edhe pse ai ka një pagë të tillë, me topcinjtë ka luajtur vetëm 13 ndeshje këtë sezon. Që prej dhjetorit ai ka nisur vetëm 1 ndeshje si titullar, kjo e justifikuar nga ana e Unai Emery-t me lëndime dhe vendime taktike që nuk e favorizojnë atë në fushë. Trajneri spanjoll e ka thënë hapur se për t’i ndryshuar gjërat duhet që turku të ndryshojë qasje.
Pra gjërat nuk varen nga trajneri, por nga vetë 30-vjecari turk. I përfolur shumë për një rikthim të mundshëm në vendin e origjinës, Ozil u tha se mund të kalonte te Fenerbahce në Turqi. Për të, Arsenali pagoi 47 milionë euro 6 vite më parë. Pavarësisht talentit, ai shpesh ka zhgënjyer kur vjen puna për përfshirjen apo dhe grintën e shfaqur në fushë. Në Turqi ai vazhdon të ketë simpatizantë, teksa në dhjetor Emery tha se Ozil e ka të ardhmen ende në Londër. Por me vazhdimësinë që nuk ka hiç shije të mirë, gjërat mund të komplikohen ndjeshëm për Ozilin. “Atij i duhet të jetë i qëndrueshëm në stërvitje dhe përpara ndeshjeve sigurisht të mos sëmuret apo të mos lëndohet” tha trajneri andaluz për 30-vjecarin, i cili 90 minutat e fundit i ka luajtur më 22 dhjetor.