Emanuela Rusta, e para arbitre shqiptare e pranuar në FIFA

Sport

Viti 2019 dhe viti 2020 janë vite të rëndësishme për futbollin shqiptar të vajzave. Viti 2019 nisi me suksesin e  Emanuela Rusta, e para arbitre shqiptare e pranuar nga Fifa. Ndërsa 2020 me suksesin e përsëritur të futbollistes të Vllaznisë, Medi Doçi e cila u zgjodh për të dytin vit rradhazi si golshënuesja më e mirë në botë.

Rritjen dhe zhvillimin e futbollit për femra e konfirmoi dhe Emanuela në bisedën që zhvilluam me të, për të zbuluar si nisi rruga e saj drejt këtij sportit dhe këtij  profesioni, ende i dominuar nga bota mashkullore.

Si nisi pasioni për futbollin, në cilën moshë dhe në cilat rrethana ?

Pasioni për sportin ka nisur herët, sepse unë kam qënë basketbolliste për ekipin e Elbasanit për rreth 7 vite; për këtë arsye vazhdova shkollën e lartë në Fakultetin e Edukimit Fizik. Çdo gjë ishte rastësore, sepse lindi nga një vizitë e Enea Jorgji-t gjatë orës së futbollit. Ai ishte në kërkim të disa vajzave të shkathta të cilat më pas do të trajnoheshin për t’u bërë arbitre. Profesori dhe vetë Enea, më nxitën që të afrohem duke më thënë që është një disiplinë e bukur, një disiplinë e veçantë dhe ende më shumë mundësi për vajzat. Në atë kohë, Kolegjiumi i Elbasanit organizonte mbledhje çdo të premte, kështu që unë vendosa të marr pjesë për të marrë më shumë informacion, por pa dhënë përgjigje pozitive.

Si janë mbledhjet që organizonte Kolegjiumi, si t’u duk ty kjo situatë krejt e re ?

Që në mbledhjen e parë  më pëlqeu shumë ajo që ndodhte. Kryesisht bisedat apo diskutimet ishin mbi gabimet e bëra gjatë lojës, mbi rregullat, parregullsitë, problematikat, momentet e dyshimit, fallit, mungesa e përqendrimit dhe çdo problematikë që mund të ketë një arbitër. Ajo çka ishte tepër interesante për mua, ishte fuqia që ka një arbitër në fushën e lojës dhe përgjegjësia për të marrë një vendim të saktë  në një kohë shumë të shkurtër.

Si bëhesh arbitër ose arbitre ?

Rruga ime filloi me takimet që ndodhnin çdo të premte te Kolegjiumi i Elbsanit, shto këtu stërvitjen e përditshme e cila përfshinte jo vetëm përgatitjen fizike, por  dhe rregullat e sinjalistikës gjatë një ndeshje futbolli. Në fillim e nisa me ndeshjet e futbollit për fëmijë dhe pjesën më të madhe të kohës isha e shoqëruar nga trajnerin i cili më këshillonte për veprimet që duhet të ndërrmerrja. Padyshim që ka pasur një angazhim shumë të madh. Pë shembull, në fillim kur lexoja rregullat e lojës, nuk i kuptoja fare, kështu që fillova të shoh përditë ndeshje futbolli, disa orë në ditë, për të kuptuar  si punonin arbitrit e tjerë, për të zbërthyer manualin.  Kështu tre vitet e para isha arbitre vetëm në ndeshjet e femrave, pastaj pak nga pak fillova të jem dhe te ndeshjet e meshkujve, pastaj në kategorinë Superiore dhe më pas në Super Ligë.

Si arritët të marrësh  stemën e FIFA-s  dhe të jesh e para vajzë shqiptare që ka këtë arritje, në këtë fushë ?

Mosha minimale për të aplikuar për stemën e FIFA, është mosha 25 vjeçare dhe për këtë arsye unë aplikova vetëm vjet. Është Federata Shqiptare e cila bën përzgjedhjen, se cili nga arbitrit do të përfaqësojë vendin. Më pas, mbasi FIFA ka marrë listën, hapi i parë është testimi i gjuhës angleze, përgjigja e të cilit vjen në formë bilete avioni për lokacionin ku do zhvillohet, vazhdimi i testimit që përfshin rregullat e futbollit, videot e ndryshme dhe normat fizike.   Testimi për të marrë stemën e FIFA-s zgjat një javë dhe ishte i mbushur me trajnime dhe një program shumë të ngjeshur. Unë  kam qenë në mesin e  38  trajnerëve të reja nga e gjithë bota.