Elseid Hysaj, çfarë asisti në ndeshjen jubilare në Serinë A!

Sport

hysaj napoli

Një e dielë vërtet të veçantë ka përjetuar Elseid Hysaj, me Napolin përballë Sasuolos. Së pari u rikthye të luajë pas pankinës ndaj Liverpulit, mirëpo Anceloti e aktivizoi jo në të djathtë, por në të majtë në vend të Mario Ruit. Si përfundim, shkodrani ka arritur të përballojë më së miri këtë ndryshim pozicioni. Madje duke dhënë edhe një asist perfekt – pasi depërtoi mes tre lojtarëve të Sasuolos – duke shërbyer për Insinjen në rastin e golit të dytë që vulosi fitoren 2-0 të Napolit.
Por mbi të gjitha për Hysajn ishte kurorëzimi më i bukur i ndeshes së tij numër 150 në Serinë A. Faktikisht, 36 ndeshjet e para në kategorinë maksimale italiane, ai i ka luajtur me fanellën e Empolit, ku bëri edhe debutimin në sezonin 2014-2015.

elseid hysaj jj

Një sezon më vonë ai kaloi te Napoli dhe me këtë klub llogaritet se ka luajtur 114 ndeshjet e tjera. Që prej ardhjes së tij në “San Paolo”, mbrojtësi shqiptar ka qenë lojtari anësor më i aktivizuar nga Napoli në kampionatin italian, me më shumë se 10 mijë minuta të luajtura: saktësisht 10072.  Ndërkaq, një fundjavë e suksesshme ka qenë edhe për Thomas Strakoshën që arriti të mbajë portën e pacenuar për të kontribuar kështu në fitoren e vyer 1-0 të Lacios përballë Fiorentinës. Ishte një përgjigje e duhur e bardhekaltërve, pas dy humbjeve me Romën në derbi dhe Eintrahtin në Kupat e Evropës.