Elis Bakaj vazhdon me golat në Bjellorusi

Sport

Shakhtyor-Soligors.jpg

Elis Bakaj nuk ndalet. Ashtu si sezonin e shkuar, edhe këtë sezon duket se ka ndër mend të lërë shenjë në Bjellorusi dhe te Shakhtyor Soligorsk. Aty ku tashmë është kthyer në një lider, duke qenë një nga armët më të forta të klubit bjellorus që është në garë për të paktën dy trofe.
Pas golit të realizuar ndaj Nemanit, ai i shënoi edhe në fitoren minimale 1-0 ndaj Slutsk. Ish-futbollisti i kombëtares realizoi në minutën e 42-të të pjesës së parë. Pasi tentoi goditjen me kokë në zonë, topi u përplas në shtyllë dhe iu kthye sërish mesfushorit, që më pas përdori këmbën për ta depozituar në rrjetë.
Për Soligorsk ishte fitorja e tretë në kampionat dhe nëntë pikë.
Faktikisht, sezoni i ri ka nisur në mënyrë perfekte për Bakajn dhe skuadrën e tij, sepse 3 ndeshjet e para në kampionat janë fituar pa pësuar asnjë gol. Ndërsa ishte goli i dytë në këtë kampionat për sulmuesin shqiptar, i cili ka shënuar edhe 3 gola në Kupë gjatë javëve të fundit, duke shkuar në kuotën e 5 golave në sezon, në vetëm 5 ndeshje, në një kohë që sezonin e shkuar Bakaj shënoi 9 gola përgjatë 27 takimeve të luajtura.