Elis Bakaj: Ja si po luajmë në Bjellorusi, mes Coronavirusit

Sport

Kampionati bjellorus i futbollit është i vetmi që vazhdon të luhet në të gjithë Evropën, pavarësisht se e gjithë pjesa tjetër e kampionateve janë ndalur prej situatës emergjente të krijuar prej Coronavirusit. Në ligën ku luan edhe shqiptari Elis Bakaj (me Dinamo Brest), vazhdon të luhet normalisht edhe pse ka pasur raste të infeksionit në vend. Gjithsesi, presidenti Aleksander Lukashenko përsërit vazhdimisht bindjen e tij se populli bjellorus është më i fortë se çdo virus dhe se gjithcka mund ta mposhtë duke bërë sauna e duke pirë vodka.
Ja që e përditshmja sportive spanjolle “Marca” i ka kushtuar një speciale kësaj situate të veçantë, duke kërkuar dashur të dëgjojë edhe zërin e protagonistëve të këtij kampionati. Njëri prej atyre që kanë folur, është edhe ish-lojtari i Partizanit, Dinamos, Tiranës e Kukësit, Elis Bakajt, i cili ka zbritur në fushë në të dy ndeshjet e para të kampionatit me fanellën e Dinamo Brestit. “E dimë që nuk është e lehtë të luash tani, por duhet të tregohemi profesionsitë. Ndonëse të gjithë e dimë që mund të jemi në rrezik. Para çdo ndeshje duhet të kalojmë disa teste për Koronavirusin dhe pastaj na masin temperaturën çdo dy ditë”, ka deklaruar Bakaj, në prononcimin e tij në lidhje me situatën që po kalon me klubin bjellorus. Aty, shumë prej futbollistëve janë të shqetësuar, duke u shprehur hapur që nuk e kuptojnë pse vazhdojnë ende të luajnë. Në fakt dicka kurioz është duke ndodhur me Superligën bjelloruse, përderisa disa televizione të huaja së fundi kanë blerë të drejtën për ta transmetuar. Kështu,për herë të parë po arkëtohen edhe para’, që do të shkojnë në arkat e klubeve. Ja që çdo e keqe, e ka edhe një të mirë.