Elis Bakaj vazhdon të tregojë se është praktikisht i abonuar me golin, pasi ka shënuar edhe një tjetër në kampionatin bjellorus të futbollit. Ish-sulmuesi i Partizanit, Tiranës dhe Kukësit ishte autor i golit që vulosi fitoren 3-1 të Shakhtar Soligorsk kundër Dnepro Moligev. Aq sa mjaftoi që skuadra bjelloruse, ku luan shqiptari të marrë tri pikët e radhës e të renditet në vendin e dytë, me 38 pikë prapa BATE Borisovit. Ishte saktësisht minuta e 69’ e takimir, moment në të cilin Bakaj u shkëput mirë nga mbrojtja kundërshtare dhe mposhti portierin Berezin. Ky ishte goli i tretë radhazi për sulmuesin në këtë kampionat, pa llogaritur realizimet e tij edhe në eleminatoret e Ligës së Evropës.
Ai shënoi edhe në dy javët e kaluar kundër Dinamo Brest dhe FK Slutsk. Aq sa aktualisht është dukshëm sulmuesi shqiptar që po kalon formën më të mirë dhe është më rezultativi, sa i takon atyre që luajnë nëpër kampionatet evropiane. Ai ka qenë pjesë edhe e ligave të tjera kontinentale, si në Ukrainë, Rumani, Kroaci apo Izrael, por nuk ka pasur asnjëherë këtë vazhdimësi. Nuk dihet ende nëse kaq mjafton për të bindur Panuccin që ta rikthejë në përfaqësuese. Por nëse do të vazhdojë me këtë ritëm, atëherë do të ishte e vështirë që Elisi të mos jetë pjesë e planeve të trajnerit italian.