Vijnë pasojat e para të eliminimit të Gjermanisë që në fazën e grupeve nga Kupa e Botës. Bordi i Federatës Gjermane të Futbollit, ka shkarkuar nga detyra drejtorin teknik të përfaqësueses, Olivier Bierhoff. Ish-sulmuesi e kishte marrë këtë detyrë që prej 1 janarit të 2018-tës dhe kishte një kontratë deri në vitin 2024, mirëpo dështimi i panzerave në Katar i është faturuar edhe atij, e si pasojë 54 vjeçari është shkarkuar nga detyra.
Bierhoff i mbijetoi një furtune të tillë në 2018-tën, kur në Botërorin e Rusisë, Gjermania gjithashtu u eliminua që në grupe. Megjithatë, këtë herë, ndërprerja përpara kohe e kontratës është parë e pashmangshme nga ana e bordit të kombëtares gjermane.
Nga aludimet e para, mediat gjermane bëjnë me dije se si pasues i Bierhoff mund të emërohet Drejtori i Përgjithshëm i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Ëatzke. Po ashtu, një tjetër alternativë është edhe Ish-Drejtori i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge.
Më tej, në radhët e Kombëtares Gjermane mund të ketë të tjera zhvillime dhe këtu fjala është për trajnerin Hansi Flick. Tekniku në fjalë ka sjellë jo pak zhgënjim në radhët e tifozëve me paraqitjen e skuadrës së tij në Botërorin e Katarit. Si pasojë, nga disa zondazhe të kryera në Gjermani, përqindja më e madhe e pjesëmarrësve kanë kërkuar që Flick të largohet nga detyra.
Megjithatë, drejtuesit e përfaqësueses janë të mendimit që Flick të ketë edhe një tjetër mundësi dhe këtu fjala është për Euro 2024. Në rast të një tjetër dështimi, atëherë shkarkimi do të ishte i pashmëngshëm për trajnerin 57 vjeçar.