Eliminim i papritur i Manchester City

Sport

Manchester City eliminohet në mënyrë të papritur nga Carabao Cup në raundin çerekfinal nga skuadra e Southampton me rezultatin 2-0. Skuadra bardhekuqe i shënoi të dy golat në pjesën e parë, dhe më pas arriti të administronte në mënyrë të përkryer rezultatin e sfidës.

Një City i pafuqishëm u pa në fushën e lojës dhe nuk mundi të depërtonte dot në mbrojtjen e skuadrës që renditet në vendin e fundit në Premier League. Për herë të parë që nga viti 2018-të, Manchester City nuk regjistroi asnjë gjuajtje në portë. Për herë të fundit kishte ndodhur ndaj Liverpool në Champions League, në atë humbje 3-0. Që prej atëherë kishin kaluar plot 275 ndeshje të njëpasnjëshme që Blutë e Manchesterit nuk arrinin dot të gjuanin një herë në drejtim të katërkëndëshit.

Nga ky rezultat ka mbetur i befasur trajneri i Cityzens, Pep Guardiola, i cili është shprehur se skuadra e drejtuar prej tij, e ka tepër të nevojshme të përmirësohet në disa drejtime dhe ndryshimi i formacionit nuk mund të merret në asnjë mënyrë si justifikim.

Ndeshja e radhës e Cityt është derbi i Manchesterit në kampionat ndaj United dhe tekniku spanjoll i trembet disi formës të mirë që po kalojnë “djajtë e kuq”.

“Këtë ndeshje e fitoi skuadra më e mirë. Nuk ishim gati për të shkuar në gjysmëfinale. Nëse performojmë në këtë mënyrë në derbi, atëherë nuk kemi asnjë mundësi për të marrë rezultat pozitiv”, ka citar ndër të tjera numri një i pankinës në Etihad.