Xavi Hernandez është rikthyer të flasë për Messin dhe këtë gjë e ka bërë në mënyrën më të shkëlqyer të mundshme duke e krahasuar atë me basketbollistin LeBron James. 37-vjecari ka dhënë një intervistë të gjatë për El Pais dhe ka rrëfyer me detaje se si luhet te Barcelona. Për ish-kapitenin e katalanasve, i cili kurrë nuk e ka fshehur admirimin për Leo Messin, është një turp i madh ta krahasosh atë me lojtarë të tjerë. Sipas Xavit 30-vjecari është një mjeshtër për çdo gjë dhe askush nuk i afrohet atij në një futboll që po bëhet gjithmonë e më taktik sikurse të ishte futboll amerikan. “Messi ka një vizjon të jashtëzakonshëm për kohën, hapësirën, momentin. Pret aq sa të tërheqë kundërshtarin dhe në fraksion sekondi pason te shoku i skuadrës. Këtë gjë e kam parë te LeBron James. Për këtë mënyrë loje, pra për të kuptuar hapësirat dhe momentet, kemi punuar që të vegjël te Barcelona, madje edhe Ter Stegen e kupton këtë gjë” – ka thënë Xavi. Më tej legjenda dhe personifikimi i tiki-takas së Guardiolës tha diçka edhe për dyshen Isco-Asensio mjaft të spikatur për lojën teknike te Reali, por 37-vjecari nuk iu referua konkretisht atyre. “Driblime, pse?! Messi s’bën hiç driblime, ai s’merret me to, ai të bën punën, kaq! Luan thjesht dhe atë thjeshtësi e bën aq të përkryer sa e kthen në një futboll të mrekullueshëm” ka thënë Xavi dy herë i nominuar për cmimin e Topit të Artë dhe të dyja herët i mposhtur nga argjentinasi në vitet 2011-2012.