El Clasico “e nxehtë” jashtë fushës së blertë, përplasje në distancë mes Barcelonës dhe Real Madrid

Sport

El Clasico “e nxehtë” jashtë fushës së blertë. Barcelona dhe Real Madrid janë përplasur në distancë mes tyre. Në një konferencë të mbajtur përgjatë ditës së hënë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka sulmuar Real Madridin, duke e konsideruar klubin kryeqytetas, historikisht të favorizuar nga arbitrat. Për çështjen më të diskutueshme të fundit sportive në Spanjë, ku Barcelona akuzohet se ka korruptuar arbitrat nga viti 2001, deri në 2018-tën, ditë më parë, Real Madrid doli me një qëndrim public, ku është shprehur se do jetë në ndjekje të kësaj çështjeje deri në fund.

Pikërisht për këtë arsye, ka ardhur edhe reagimi i Laportas, reagim që ka bërë mjaft bujë në mbarë mediat botërore.

“Dua të citoj një klub të regjimit, që historikisht është favorizuar nga arbitrat. Ata kanë qenë pjesë e sistemit dhe për këtë arsye, kanë pasur forcë politike, e gjithashtu edhe financiare. Dua të përmend gjithashtu, se për 7 dekada më radhë, shumica e presidentëve të Komitetit Teknik të Arbitrave, kanë qenë ishte pjesëtarë, ose ish-lojtarë të Real Madrid. Ky gjyq, për të cilin Reali interesohet kaq shumë, do të shërbejë për të treguar maskën e tyre të vërtetë”, ka cituar ndër të tjera 60 vjeçari.

Mirëpo, e menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e Real Madrid pas kësaj deklarate të Laportas. Në një video të shpërndarë në kanalin zyrtar, Reali, i kujton Barcelonës kohën gjatë diktatorit Franco, pushteti i të cilit zgjati nga vitin 1939-të, e deri në 1975. Gjatë epokës së Francos, Barcelona fitoi 8 La  Liga dhe 9 Kupa, ndërsa asokohe, për 15 vite me radhë, Reali nuk fitoi asnjë trofe.

Më tej, stadiumi “Camp Nou”, në 1957-tën, u inagurua pikërisht nga Ministri i Përgjithshëm i diktatorit Franco.  Më pas, në 1965-tën, Barcelona e ka cilësuar Francon si pjesëtarë nderi të klubit dhe se gjatë asaj kohe, katalanasit janë shpëtuar 3 herë nga falimentimi.