Ekipet shqiptare të pafata eleminohen nga…

Sport

 

Lojtarë dhe skuadra shqiptare kanë zbritur në fushë të martën në mbrëmje për turin e parë eleminator të Champions League, megjithatë janë detyruar t’i thonë lamtumirë kompeticionit. Së pari, Liridon Latifi i transferuar te Sherif Tiraspoli në Moldavi, u bë protagonist me realizimin e një goli në minutën e tretë përballë gjeorgjianëve Saburtalo që kishin fituar 3-0 ndeshjen e parë. Mirëpo suksesi 3-1 i skuadrës moldave në transfertë për sfidën e kthimit, nuk mjaftoi për të vazhduar më tej aventurën, duke u detyruar që Latifi me shokë të kënaqen vetëm me vazhdimin në turin e dytë të Ligës së Europës. Sipas shortit të paracaktuar nga UEFA, përballë pritet të kenë humbësen e çiftit Karabak-Partizani.

Gjithashtu janë eleminuar nga Champions League edhe Ferronikeli me Shkëndijën e Tetovës. Kampionët e Kosovës u mundën 0-1 brenda në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës kundër The Nju Saints (TNS), ku goli i vetëm i sfidës u shënua me kokë nga Ebbe në minutën e 67-të. Takimi i parë i zhvilluar në Uells kishte përfunduar në barazim 2-2 dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-2 ishte TNS që përparoi në turin e dytë.

Ndërsa Shkëndija ka pësuar një humbje të pabesueshme 1-2 në shtëpi, pas një goli të shënuar në minutën e parë shtesë të sfidës kundër estonezëve të Nome Kalju. Një rezultat vërtet i papritur duke llogaritur fitoren 1-0 të kuqezinjve në ndeshjen e parë në transfertë. Por ndoshta ai rezultat ndikoi për keq në skuadrën tetovare, që u shfaq e shpërqendruar dhe bëri gabime të pafalshme në ndeshjen e kthimit.