Edon Zhegrova lë Belgjikën për ish-kampionët e Zvicrës!

Sport

edoni

Shtohet numri i futbollistëve me origjinë shqiptare në kampionatin zviceran. Edon Zhegrova është huazuar zyrtarisht nga Genk te skuadra e Bazelit, për 1 sezon e gjysmë. Ndërsa 20 herë kampionët e Zvicrës kanë të drejtën e blerjes përfundimtare. Ka qenë faqja zyrtare e klubit belg që ka konfirmuar huazimin e Zhegrovës, teksa ka shkruar: “Genk ka arritur një marrëveshje me klubin zviceran FC Basel për transferimin e Edon Zhegrovës. Basel e merr në huazim Zhegrovën për një vit e gjysmë me opsion blerje pas kësaj periudhe. 19-vjeçari kosovar luajti 12 ndeshje këtë edicion me KRC Genk. Paç fat, Edon!”, thuhej në njoftimin e nxjerrë nga Genku, që ka pranuar se Zhegorva kalon në kampionatin zviceran, për të gjetur më shumë mundësi aktivizimi, të cilat i kanë munguar në Belgjikë.

328262
Në 27 ndeshje zyrtare të luajtura me belgët, anësori kosovar në gjendje të mbulojë të dy krahët e sulmit, ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar tri asiste.
Kështu, talenti që ishte zhvendosur 3 vjet më parë nga Prishtina në Belgjikë, largohet prej Jupiler Ligës, ku nuk mori dot shumë minuta aktivizimi. Gjatë kësaj periudhe është raportuar se për shërbimet e talentit kosovar kishin shprehur interesim edhe klube të mëdha si Barcelona, Milan apo Lacio. Por Basel u tregua më konkret, duke nisur negociatat për ta marrë menjëherë. Në skuadrën zvicerane, Zhegrova do të gjejë dy shqiptarë të tjerë, si Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti, megjithëse ky i fundit ka zgjedhur të luajë për Zvicrën.