Edoardo Bove është jashtë rrezikut për jetën

Sport

Ndeshja Fiorentina – Inter, e vlefshme për javën e 14 të Serie A, u ndërpre në mes, pas një ngjarjeje që shkaktoi frikë, si tek lojtarët, tifozët, e natyrisht, edhe tek ata që ishin duke e ndjekur sfidën nëpërmjet ekranit. Në Artemio Franchi, dueli zgjati vetëm 17 minuta, sepse, futbollisti i Fiorentinës, i huazuar nga Roma, u rrëzua pa ndjenja në tokë. Mesfushori u dërgua menjëherë në spital, atje ku mori menjëherë një ndihmë më të specializuar mjekësore.

Sa i përket gjendjes së 22 vjeçarit, nga raportimet që vijnë nëpërmjet mediave matanë detit, Bove është jashtë rrezikut për jetën, teksa ai është përmendur dhe ka nisur të komunikojë me të tjerët. Mjekët kanë përjashtuar mundësinë e arrestit kardiak, ndërsa mendohet se futbollisti të ketë pësuar një krizë epileptike dhe kjo ishte arsyeja e humbjes së menjëhershme të kontrollit. Gjithësesi, fakti që futbollisti në fjalë ka reaguar pozitivisht, është një lajm shumë i mirë për të gjithë.

Italiani Bove, është një lojtar në pronësinë e Romës, por është huazuar në radhët e klubit vjollcë deri në fund të sezonit. Me fanellën vjollcë, ai ka luajtur 14 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ka shënaur 1 gola dhe ka dhënë 4 asiste.

Sa i përket ndeshjes mes Fiorentinës dhe Interit, gjithçka është spostuar për një moment të dytë, ende të pacaktuar.