Edinson Cavani është zyrtarisht një lojtar i Valencias. Sulmuesi i qendrës ka firmosur një kontratë dy vjeçare me klubin spanjoll, deri në verën e 2024-tës. Uruguajani zbarkoi në Mestalla me parametra zero, duke qenë se i përfundoi marrëveshja me Manchester United.
Në fakt, për Cavanin pritej një rikthim në vendin e tij të lindjes, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 35 vjeçari ka gjetur akordin me klubin 6 herë kampion të La Ligas dhe shumë shpejt do jetë nën urdhërat e trajnerit Gennaro Gattuso.
Cavani është një sulmues, i cili ka lënë gjurmë kudo që ka shkuar, e si pasojë pritet të ketë sukses edhe në etapën e tij të radhës. Në karrierën e tij futbollistike, Cavani numëron 615 ndeshje të luajtura me klubet, ndërsa ka mundur të shënojë një total prej 360 golash. Po ashtu, ai ka ditur të jetë protagonist edhe me ekipin përfaqësues, teksa në 133 paraqitje, ka finalizuar 58 herë.
Në fjalët e tij të para drejtuar klubit spanjoll, Cavani është shprehur shumë i lumtur që do ketë mundësi të luajë për një skuadër si Valencia dhe po pret me padurim që të zbresë në fushën e lojës.
Ndërkohë, nën drejtimin e Gennaro Gattusos, Valencia nuk i ka bërë një nisje shumë të mirë sezonit në La Liga, duke pësuar 2 humbje në 3 javët e para. E fundit është ajo ndaj Atletico Madrid në Mestalla, me rezultatin 1-0. Sidoqoftë, Gattuso e ka parë me pozitivitet skuadrën e tij, duke u shprehur se me një lojë të tillë dhe me shumë punë, Valencia mund të shkojë shumë larg.