EDHE UEFA DO TE JETE PJESE E ‘TOPIT TE ARTE’, PREJ VITIT 2024

Sport

Prej vitit të ardhshëm, UEFA do të njësohet me revistën “France Football” për organizimin dhe caktimin e çmimit prestigjioz “Topi i Artë”. Në këtë mënyrë, qeveria e futbollit evropian anulon ceremoninë e zakonshme të çmimeve të tyre historike, kur cdo vit kanë zgjedhur më të mirët e vitit. “Topi i Artë 2023” u nda të hënën e kaluar, ku fitues ishte Lionel Messi për herë të tetë në karrierë. Por, kjo do të jetë hera e fundit që çmimi i madh prestigjioz ndahet vetëm nga “France Football”.

Konkretisht është njoftuar se UEFA dhe Groupe Amaury, pronar i kompanive mediatike “France Football” dhe “L’Equipe”, do të kenë një partneritet për të bashkëorganizuar “Topin e Artë” nga viti 2024. Së bashku, UEFA dhe Groupe Amaury synojnë të rrisin statusin dhe shtrirjen globale të çmimit duke nxitur një ndjenjë uniteti dhe bashkëpunimi brenda komunitetit të futbollit.

Prezantuar çdo vit nga France Football që nga viti 1956, “Topi i Artë” është çmimi më prestigjioz që një futbollist mund të marrë në njohjen e arritjeve të jashtëzakonshme dhe talentit të jashtëzakonshëm. Mirëpo edhe dy çmime të reja do t’i shtohen ceremonisë: “Topi i Arte” i vitit për trajnerin më të mirë mashkull, dhe një tjetër për trajneret femra, për të vlerësuar kontributin e paçmuar të teknikëve sa i takon suksesit në fushë. Ndërsa nuk do të ndryshojnë cmimet e tjera: Topi i Artë për meshkuj, Topi i Artë për femra, Trofeu Kopa për lojtarin më të mirë nën 21 vjeç; trofeu Yashin për portierin më të mirë dhe Trofeu Gerd Muller për kryegolashënuesin e sezonit; Trofeu i Klubit me të mirë të Sezonit për Meshkuj e Femra, si dhe Çmimi Socrates për punë humanitare.