Edhe Olimpiada 2020 në diskutim? Drejtuesit garantojnë, atletët kanë frikë

Sport

Në një kohë kur prej ditësh të gjithë eventet sportive (e jo vetëm) janë anuluar e pezulluar për shkak të Coronavirusit të përhapur në të gjithë botën, Japonia duket se nuk heq dorë nga zhvillimi i Lojërave Olimpike.
Olimpiada verore është planifikuar të mbahet në Tokio nga 24 korriku deri më 9 gusht dhe të paktën sipas drejtorit të përgjithshëm të Lojërave Olimpike, Toshiro Muto, “Tokio 2020 nuk do të anulohet edhe përkundër situatës me pandeminë e virusit korona”. Edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach këmbënguli që “të gjithë e kuptuan se kemi akoma më shumë se katër muaj për të kaluar” deri në Tokio 2020. Mirëpo, atletët janë të shqetësuar duke thënë se është shumë e rrezikshme të shkosh në Japoni dhe e pamundur të stërvitesh siç duhet.
Vendimi i IOC (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) ka sjellë një reagim nga një numër madh i garuesve, pëfshi këtu garuesen britanike në atletikë Katarina Johnson-Thompson. “Ndihem nën presion në kryerjen e stërvitjeve dhe mbajtjen e rutinës së përgjithshme pasi kjo është e pamundur”, tha Johnson-Thomson.
Ndërkohë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pohoi se zhvilloi bisedime “konstruktive” me përfaqësuesit e atletëve për krizën e virusit, nga ana tjetër shumë atletë reaguan në Tëitter duke thënë se Lojërat Olimpike duhet të anulohen. Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në javët e ardhshme në lidhje me situatën sa i takon “Tokio 2020”.