Edhe në Lacio hyn në radhë për Marash Kumbulla

Sport

Edhe Lacio hyn në radhën e konkurrenteve për Marash Kumbullën. Sipas asaj që kanë raportuar gazetat romane “IL MESSAGGERO” dhe CORRIERE DELLO SPORT, klubi i Lotitos është në kërkim të përforcimeve të rëndësishëm, për të përballuar sa më mirë edicionin e ardhshëm të Champions League. Prandaj ndër objektivat e merkatos në bllokun e shënimeve të drejtorit Igli Tare është edhe emri i mbrojtësit shqiptar.
Dy mbeten pengesat për t’u kaluar. Fillimisht është vlera prej rreth 25 milionë eurosh që kërkohet nga Verona. E së dyti, konkurrenca e skuadrave të tjera, mes të cilave Dortmund, Chelsea dhe sidomos Interi, që mbetet në avantazh, pasi duket se ka një akord paraprak me lojtarin. Vetë ai për momentin ka refuzuar Napolin, që në fakt ka marrëveshje me Veronën. Sidoqoftë, nga ana e klubit bardhekaltër, Lacio shihet si një ambient që mund të jetë i përshtatshëm për Kumbullën, në mënyrë që të ketë shansin të luajë në një ekip të nivelit të lartë, por pa u lënë mënjanë. Gjë që mund të ndodhë në një skuadër me shumë presion, sic është Interi. Një tjetër faktor që mund të luajë në favorin e lacialëve është se Kumbulla është mik me Strakoshën, ndërsa drejtori Igli Tare njihet si një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, në gjendje për të influencuar sadopak në zgjedhjet e lojtarëve aktualë kuqezi.
Ndërkohë, veç Lacios, sipas francezëve të “L’Equipe|”, në gjurmët e mbrojtësit të Kombëtares kuqezi është edhe Lioni, që kërkon përforcime për skuadrën e Rudi Garcias. Lojtari i datëlindjes 2000, ka qenë protagonist i një sezoni të shkëlqyer në Serinë A me fanelën e Veronës. E tashmë duket se shqiptari, që ka edhe pasaportën italiane, duket se është gati për kërcimin cilësor. Duke qenë në moshë të re ka mundësi të mira për t’u rritur akoma.