Mund të quhet e mbyllur aventura te Bazeli për yllin e Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova. 21-vjeçari do të kthehet te klubi i Genk, pasi Baseli nuk e ka shfrytëzuar opsionin për të transferuar atë. Këtë të paktën ka raportuar Basler Zeitung e më pas të gjithë mediat e tjera zvicerane. Kjo nënkupton se lojtari i lindur në Herford do të kthehet në Belgjikë, pikërisht te klubi të cilit iu bashkua në gusht të vitit 2017.
Në fakt, Baseli ka pasur opsionin për të bërë transferimin e tij të plotë për 3.5 milionë euro, por ky opsion e ka pasur afatin e fundit deri në mbyllje të marsit. Për një farë periudhe u duk se klubi zviceran do ta kishte ushtruar mundësinë për ta blerë përfundimisht lojtarin e talentuar të Kosovës, por ja që kriza e shkaktuar nga Coronavirusi dhe pasiguritë e bilancit financiar të Baselit, kanë bërë që të merret një tjetër rrugë. Zhegrova këtë sezon në Zvicër – ku u trasnferua në huazim prej merkatos dimërore të këtij viti -, ka luajtur 19 ndeshje në të gjitha garat për Baselin, duke realizuar dy gola e asistuar në 4 të tjerë. Mbi të gjitha, Zhegrova ishte shpallur lojtari i ndeshjes në fitoren e jashtëzakonshme të Baselit 3-0 kundër Young Boys, në derbin për kreun e Superligës zvicerane. Ai pati realizuar një gol dhe e kishte dhuruar një asist, si për të kurorëzuar një paraqitje vërtet të paharrueshme.