Edhe Ciklaeshi i mban “iso” Bekim Balajt

Sport

Bekim Balajt mund të thuhet se i ka mbajtur “iso” edhe Sokol Cikalleshi, i cili po vazhdon të konfirmojë formë e tij të mirë në futbollin turk, ndonëse në kategorinë e dytë të atjeshme. Në ndeshjen e radhës me skuadrën e tij Akhisar, kavajasi realizoi dy gola brenda 7 minutave. Gjatë përballjes që luante si skuadër udhëtuese në fushën e Karagumruk, Akhisari zhbllokoi shifrat në minutën 18-të me Celenk, ndërkohë që në minutat 22-të dhe 29-të, ishte radha e bomberit shqiptar për t’u ngjitur në skenë dhe për të vendosur dy herë vulën e tij, duke siguruar kështu në “kasafortë” fitoren e ekipit ku aktivizohet.

 

Në fakt kjo nuk ishte një premierë për të, pasi kishte shënuar edhe dy gola të tjerë në ndeshjet e mëparshme të ligës së dytë turke, konkretisht ndaj Menemen dhe Hataisporit. Ndërkohë që për t’u kujtuar është edhe fakti se këto dy gola të tij vinin pas atyre dy realizimeve me Kombëtaren shqiptare, në ndeshjet e luajtura kundër Francës dhe Islandës. Mbetet të shihet nëse Cikalleshi do të arrijë të ruajë këtë formë edhe në ndeshjen e vendimtarrë të pas gati 2 javësh, që Kombëtarja jonë do të luajë pikërisht në tokën turke.