Ederson dhe Alisson, portierët më të shtrenjtë; bie vlera e De Geas dhe Donnarummas

Sport

Ederson Moraes është portieri më i shtrenjtë në botën e futbollit për momentin. Është ky rezultati që ka nxjerrë së fundmi ‘Qenda Ndërkombëtare e Studimeve në Sport’, që ka analizuar të gjitha aspektet, si mosha, prezencat në fushë dhe notat mesatare. Portieri i Manchester City mban vendin e parë për këtë sezon, pasi vlera e kartonit të tij llogaritet në 86,8 milionë euro, teksa ndiqet nga një tjetër brazilian që mbron portën e një klubi në ‘Premier League’. Bëhet fjalë për Alisson Becker, që vlerësohet në 84,2 milionë euro. Gardiani i Liverpool-it ka pësuar ulje të vlerës së kartonit të tij, kjo edhe për arsye se 27-vjeçari ka vuajtur nga dëmtimet gjatë 2019/2020-ës. Edhe vendi i tretë mbahet nga një portier i kampionatit anglez. Spanjolli i Chelsea-t, Kepa Arrizabalaga shihet si një nga ata që do jetë dominues në rolin e tij edhe në vitet pasardhëse, teksa ky studim, e vlerëson për këtë sezon me 76,4 milionë euro. Më pas, renditja vijon me 3 portierët kryesorë të ‘La Liga’-s, Jan Oblak të Atletico Madrid, Ter Stegen i Barcelonës dhe Thibaut Courtois i Real Madrid. Ka pësuar rënie të vlerës kartoni i David De Gea-s, i cili gjendet vendin e shtatë të portierëve më të shtrenjtë, duke lënë pas vetes Jordan Pickford apo Pau Lopez. Vendi i 10 mbahet nga ana e Alex Meret të Napolit, i cili ka nxjerrë jashtë 10 më të shtrenjtëve, portierin e Milanit, Gianluigi Donnarumma. Ky i fundit ka pësuar një rënie të ndjeshme të vlerës së tij, pasi tanimë kartoni i portierit të kombëtares italiane, llogaritet në vetëm 35,2 milionë euro.