Eden Hazard njofton zyrtarisht tërherqjen nga futbolli. “Pas 16 vitesh dhe më tepër se 700 ndeshje të luajtura, kam vendosur të ndërpres karrierën time si një futbollist profesionist. Në këtë rrgëtim, isha me fat, sepse kam takuar trajnerë dhe lojtarë të mëdhenj. Dua të falenderoj klubet e mia, Lille, Chelsea dhe Real Madrid, gjithashtu edhe përfaqësuesen belge. Faleminderit për çdo kujtim të bukur që më keni dhuruar”, është përshëndetur Hazard me tifozët, nëpërmjet rrjeteve sociale.
Me Belgjikën, Hazard, luajti një total prej 126 ndeshjesh, duke shënuar 33 gola, teksa mori pjesë në 3 Kupa të Botës dhe në dy Europianë, kurse si kapiten, e udhëhoqi përfaqësuesen e tij plot 56 herë.
Sa i përket karrierës në rang klubesh, me Lille, Chelsea dhe Real Madrid, në total janë 623 ndeshje të luajtura, 167 gola dhe 157 asiste. Gjatë kësaj kohe, Hazard ka fituar gjithësej 15 trofe.
Tërheqja e Hazard nga aktiviteti në moshën 32 vjeçare, mund të konsiderohet e parakohshme, mirëpo ishte edhe e pritshme. Pasi ndërpreu kontratën me Realin në verën që lamë pas, anësori i sulmit nuk mundi të gjente dot asnjë klub për të vazhduar karrierën, jo vetëm në Europë, por edhe jashtë kontinentit.
Kur në 2019-tën u transferua në radhët e Real Madrid për më tepër se 100 mln euro, rreth Hazard u ngritën shumë pritshmëri, mirëpo trajektoria e karrierës së futbollistit erdhi në një rënie gati-gati të frikshme. Pavarësisht se kaloi plot 4 sezone në “Santiago Bernabeu”, dhe fitoi të gjithë trofetë e mundshëm, belgu nuk arriti dot për asnjë moment të bëhej një futbollist i rëndësishëm.