Eden Hazard nuk është më në planet e Real Madrid

Sport

Pas 3 sezonesh pritje, kampionët e La Ligas, duket se janë dorëzuar dhe tashmë janë të gatshëm të lejojnë largimin e belgut.

I transferuar në Santiago Bernabeu për shifrën e 115 mln eurove në verën e 2019-tës, Hazard, konsiderohej si personazhi, i cili do kthehej në pikën referuese të madrilenëve. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Dëmtimet e njëpasnjëshme gjatë kësaj kohe, e kushtëzuan formën e Hazard, që përgjatë kësaj kohe, nuk ka mundur në asnjë moment të shfaqë të gjithë potencialin e tij. Në 3 vite, ai është aktivizuar 66 ndeshje në të gjitha kompeticonet dhe ka mundur të shënojë vetëm 6 gola.

Teksa mendohej se 14 herë kampionët e Europës do i jepnin futbollistit edhe një tjetër mundësi në sezonin e ardhshëm, diçka e tillë nuk pritet të ndodhë. Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, Real Madrid është I gatshëm të dëgjojë oferat për Hazard.

Dritën jeshile për largimin e futbollistit në fjalë e ka dhënë edhe trajneri Carlo Ançelotti, megjithëse tekniku nuk e ka fshehur dëshirën për të punuar me 31 vjeçarin dhe ta kthejë atë në nivelin e dikurshëm.

Kontrata e Hazard me Real Madrid skadon në verën e vitit 2024, ndërsa vlera e tij aktuale në tregun e merkatos cilësohet vetëm 12 mln euro. Në rast shitje të futbollistit, Reali synon të arkëtojë rreth 50 mln euro.