Ashtu sikurse mbetet e pashpjegueshme rënia e formës së Eden Hazard me Real Madrid, po ashtu, e paqartë mbetet edhe e ardhmja e tij. Megjithatë, e sigurt është se ajo do të jetë jashtë Europës. Pasi ndërpreu një vit përpara kohe kontratën me Los Blancos, dëshira e belgut ka qenë vazhdimisht të mbetej në kontinentin e vjetër. Mirëpo, mesa duket, asnjë klub nuk po tregohet i gatshëm që të nënshkruajë me të.
Si pasojë, Hazard nuk ka rrugë tjetër, veçse të transferohet në një tjetër continent për të vazhduar karrierën. Sikurse raportojnë mediat e huaja, Hazard ka 3 mundësi në tavolinë. Ai mund të luajë në SHBA, në Brazil, ose në Arabinë Saudite. Në pritje të një oferte konkrete dhe që të përmbushë kushtet e lojtarit, ish-ylli i Chelsea ka refuzuar një ofertë, të ardhur pikërisht nga Inter Miami, por kjo ndodhi përpara se atje të shkonte Lionel Messi.
Në rrethana të tilla, nuk përjashtohet mundësia që Hazard të synojë një tjetër aventurë në MLS, pasi besohet se ai është destinacioni i tij i preferuar, krahasuar me Brazilin, apo Arabinë. Në Lindjen e Mesme, Hazard nuk e shikon të arsyeshme të transferohet, pasi ndoshta nuk është tepër i interesuar të përfitojë më tepër miliona, duke qenë se për 4 sezone në Madrid, përfitoi rreth 100 milionë euro. Thënë këtë, që të transferohet në Amerikë, ose në Brazil, Hazard ështëi gatshëm që të ulë ndjeshëm edhe pagën e tij.