E vendosur, ja e ardhmja e Elseid Hysajt

Sport

Fati i Elseid Hysajt duket se është i shkruar. Me afrimin e Gennaro Gattuso në stolin e Napolit është kthyer përsëri në qendër të projektit të skuadrës nga “San Paolo”. Por në fund të këtij sezoni është i destinuar të largohet nga aty. Të paktën, sipas asaj që ka deklaruar Mario Giuffredi, menaxheri i tij, i cili e sheh të ardhmen e shqiptarit larg Napolit. Përtej faktit që kohet e fundit ka patur shumë më tepër minuta në dispozicion me Gattuson si trajner. “Po vazhdojmë bisedimet. Napoli e njeh mjaft mirë situatën reth tij. Prandaj do të presim përgjigjet e drejtuesve dhe kur t’i marrim, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Elsi ka treguar se është kthyer në nivelet e kohës kur luante nën drejtimin e Mauricio Sarrit. Ekziston dëshira për zgjatjen e kontratës, por për shitjen e tij të mëpasshme në verë. Nuk i dua më dy lojtarë të mi në të njëjtin rol te Napoli”, tha për Radio Kiss Kiss menaxheri i mbrojtësit, duke iu referuar faktit që me napoletanët luan edhe Di Lorenco, tjetër futbollist që menaxhohet nga Giuffredi.
Hysaj ka luajtur 11 ndeshje në Serinë A në këtë sezon dhe dy të tjera në Kupën e Italisë. Gjatë verës për 26-vjeçarin pati interes konkret nga Atletico Madridi dhe Roma. Tashmë, rinovimi i tij me Napolin mund të vijë gjatë muajve të ardhshëm, por më shumë do të ishte një mënyrë për të mbrojtur interesat e klubit napoletan, sesa një mënyrë për të vazhduar raportin. Përderisa “të kaltrit” rrezikojnë ta humbasin lojtarin me parametër zero, në rast se nuk i zgjasin kontratën.