Një episod i turpshëm ka ndodhur në sfidën e vlefshme për raundin e tretë eleminator të Europa League, mes austriakëve të Sturm Graz dhe qipriotëve të AEK Larnaca. Në minutën e 80 të takimit, atëherë kur shifrat flisnin në favor të miqve nga Qirpo 0-2, një tifoz vendas ka goditur me shishe arbitrin anësor Fredrik Klyver. Gjyqtari suedez është shtrirë menjëherë në tokë, pasi pësoi të çara në kokë dhe ishte i gjakosur. Ndeshja për momentin u ndërpre dhe stafet mjeksore të të dyja skuadrave ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë gjyqtarit suedez, i cili i shoqëruar edhe nga përfaqësues të federatës suedeze është dërguar në spital, ku raportohet të ketë marrë disa qepje në kokë.
Tifozi që goditi gjyqtarin është identifikuar menjëherë nga ana e autoriteteve, të cilët bënë edhe shoqërimin e tij. Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarje, arbitri kryesor i takimit Al Hakim mori vendimin të përfundonte minutat e mbetura të ndeshjes, diçka që nga shumë tifozë e sidomos federata suedeze ishte e çuditshme. Ishin zyrtarët e UEFA-s, ata që kërkuan përfundimin e takimit, ndërkohë që kanë dhënë garanci për marrjen e masave. Klubi i Sturm Graz ka dënuar aktin e tifozerisë së saj me anë të një deklarate të shpërndarë edhe në rrjetet sociale dhe ka kujtuar edhe njëherë se futbolli është një sport që duhet të na bashkojë të gjithëve.