Si një rrufe në qiell të hapur, Zinedine Zidane ka lajmëruar dorëheqjen nga posti i trajnerit të Realit të Madrid, klub të cilin para pak ditësh e shpalli kampion të Evropës për të tretën herë radhazi. Tekniku francez e dha lajmërimin, me një konferencë të befasishme që mbajti mesditën e së enjtes në “Bernaneu”. “E di që është një moment i papërshtatshëm, por mendoj se ky është vendimi i duhur. Kjo skuadër duhet të vazhdojë të fitojë, por për këtë, ka nevojë për një ndryshim. Pas 3 vjetësh duhet ndryshim, diçka ndryshe, një trajner tjetër. Ky është momenti që të largohem”, ishin fjalët e Zidane.Në befasi është zënë edhe Florentino Perez: “Nuk e prisja një gjë të tillë pas fitores së Champions League. Zizou e di që e dua më shumë se çdo lojtar apo menaxher tjetër. Gjithmonë e kam dashur përkrah meje. U mundova ta bindja për të qendruar, por ishte e pamundur t’i ndryshoja mendje”, ka deklaruar presidenti i Realit.
45-vjeçari francez luajti 155 herë me madrilenët si futbollist për 5 sezone, përpara se në 2016-n të niste përvojën e parë të rëndësishme si trajner, pikërisht në krye të “Los Blancos”. Dhe i mjaftuan 2 vjet e gjysmë ( 149 ndeshje me 105 fitore, 27 barazime e vetëm 16 humbje), për t’u bërë menjëherë trajneri më i suksesshëm i viteve të fundit. Sezonin e kaluar fitoi edhe kampionatin, edhe Champions Leaguen, trofe të cilin faktikisht e ka shndërruar në “monopol” prej 3 sezonesh. Zërat e parë mbi të ardhmen e Zizou flasin për një kalim të mundshëm te Chelsea i Abramovich. Por nuk përjashtohet një rrokadë me Massimiliano Allegri tek ish-ekipi i tij, Juventusi, që ka si synim kryesor të pushtojë Evropën, pasi titullin kampion e ka kthyer në normalitet. Sa i takon zëvendësimit të francezit tek madrilenët, më të përfolurit për momentin janë Arsene Wenger e Antonio Conte.