E konfirmon presidenti; rinovimi me Drummond, prioritet për Detroit Pistons

Sport

Andre Drummond është një nga lojtarët më të vlerësuar të NBA, për shkak të vazhdimësisë që ka treguar lojtari në paraqitjet e tij me Detroit Pistons në sezonet e fundit. Shtatlarti konsiderohet si një nga më të mirët në qarkullim dhe sigurisht që gëzon vëmendjen e shumë skuadrave të NBA. Por presidenti i Pistons, Tom Gores ka siguruar tifozët e Detroitit se lojtari nuk ka për t’u larguar nga skuadra. Madje Tom Gores u shpreh se ka filluar bisedimet për të rinovuar kontratën e Drummond dhe është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të bindur lojtarin të qëndrojë, kjo edhe për faktin se edhe vetë Gores është një tifoz i madh i 26-vjeçarit. Sezonin e kaluar, Detroit ia doli të ishte pjesë e fazës ‘play-off’, por forma jo e mirë fizike e lojtarëve në fazën finale, e sidomos problemet e liderit të ekipit, Blake Griffin, bënë që Pistons të eleminoheshin nga Milwaukee Bukcs.

Por trajneri Dëane Casey beson se këtë vit gjërat do të jenë shumë më ndryshe. Sipas tij, jo vetëm që skuadra është më mirë fizikisht, por lojtarë si Drummond , Reggie Jackson apo Griffin kanë filluar të marrin më shumë përgjegjësi mbi skuadrën, çfarë sigurisht do të ndihmojë në rritjen e të gjithëve. Andre Drummond e mbylli sezonin e shkuar me një mesatare prej 17,3 pikësh dhe 15,6 zotërimesh të topit nën tabelë për ndeshje.